Lajm i fundit: Ramushi e përkrah Isa Mustafën për rrëzimin e Albin Kurtit

Pas takimit që zhvilloi me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj e ka konfirmuar dhe njëherë se partia e tij është pro rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Ai përmes një postimi në Facebook, thotë se Qeveria Kurti jo vetëm se do të jetë Qeveria më jetëshkurtër, por edhe më e dëmshmja për Kosovën.

“Sot takova ish-Kryeministrin dhe Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa për të diskutuar Mocionin e Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. E informova z. Mustafa se AAK do të votojë për këtë mocion, sepse Qeveria Kurti jo vetëm që do të jetë Qeveria më jetëshkurtër por edhe më e dëmshmja për Kosovën. AAK përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rrëzimit të Qeverisë përbrenda institucioneve të vendit”, ka shkruar Haradinaj.

12:30
AAK-ja përkrah LDK-në në rrëzimin e Qeverisë
AAK-ja do ta përkrahë mocionin e mosbesimit të Qeverisë Kurti, ka thënë kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Deklarata e tij ka ardhur pas takimit të Haradinajt me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

“Tema e diskutimi ishte inicimi i mocionit për shkarkim të qeverisë. AAK-ja është pro rrëzimit”, tha Haradinaj, raporton Koha.

Grupi Parlamentar i LDK-së ndërkaq do të mblidhet në orën 13:00, lidhur me nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Për rrëzimin e Qeverisë janë të nevojshme 40 nënshkrime.

12:19
Mustafa dhe Haradinaj në takim – flasin për mocion mosbesimi
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, janë aktualisht në një takim, është bërë e ditur nga burime të KOHËS.

Takimi i tyre po mbahet në hotelin “Sirius”, në kohën kur LDK-ja ka paralajmëruar mbledhjen e nënshkrimeve për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Grupi Parlamentar i LDK-së ndërkaq do të mblidhet në orën 13:00, lidhur me nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Për rrëzimin e Qeverisë janë të nevojshme 40 nënshkrime.

11:30
LDK-ja mblidhet sot – vendos për mbledhjen e nënshkrimeve për mocion mosbesimi
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet sot, lidhur me nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ia ka konfirmuar KOHËS se mbledhja e Grupit Parlamentar do të mbahet sot në orën 13:00 në Kuvend të Kosovës.

“Po, është e vërtetë që do të mblidhemi dhe të diskutojmë për gjendjen e krijuar. Ende nuk kemi diskutuar me asnjë parti lidhur me nënshkrimet për mocion”, ka thënë ai.

Katërdhjetë nënshkrime të deputetëve duhet të mblidhen për inicimin e mocionit të mosbesimit.

Mocioni i mosbesimit për Qeverinë Kurti, pjesë e të cilës është LDK-ja, u paralajmërua të mërkuren mbrëma. Për një gjë të tillë u vendos në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, e thirrur pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.