Pas 20 gushtit pritet të vazhdojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit në Siniçan. Kryetari I komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, ka deklaruar për Alsat-m se është arritur kompromis me qeverinë, për të përgatitur bashkërisht projektin për ujësjellësin që do të sigurojë ujë për banorët e fshatit, transmeton Gazeta Lajm.
Projekti, sipas Xhemailit, do të jetë gati në një afat shumë të shpejtë, për vetëm dy javë dhe më pas zyrtarisht do të fillojnë punimet ndërtimore, në përputhje me dokumentacionin e projektit.
Por, në tetë ditët e kaluara policia parashtroi dy kallëzime penale për ujësjellësin që shkaktoi tensione mes banorëve të Siniçanit dhe Urviçit rreth të drejtës ekskluzive për burimet e ujit të pijshëm. Kallëzimi i parë penal është për vetëgjyqësi. I dyti është kundër kryetarit të Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili për “punë të pandërgjegjshme”. Sipas MPB-së, i pari i kësaj komune ka lejuar që të fillojë ndërtimi i ujësjellësit pa dokumentacionin e nevojshëm dhe leje për punë.
Derisa për problemin e Siniçanit është gjetur zgjidhje, Prokuroria Themelore është duke zbardhur edhe rolin e prokurores së Tetovës në këtë rast. Raport përpiloi Prokuroria e Lartë e Gostivarit për Siniçanin. Dokumenti tashmë është duke u shqyrtuar dhe duhet të tregojë saktësisht se cili ka qenë roli i prokurores së Tetovës Lejla Kadriu tetë ditë më parë, kur rrëzë Malit Sharr konfrontoheshin banorët e Siniçanit dhe Urviçit, rreth ujit të pijshëm. Atë natë për shkaqe sigurie në terren ishte edhe policia, por edhe prokurorja Kadriu. Ajo pohonte se udhëheqë procedurë parahetuese për një vepër të caktuar penale, pa saktësuar për cilën. Madje i kërkoi policisë që të largohet nga Siniçani. Pikërisht për këtë arsye, Prokuroria themelore kërkoi që kolegët nga Gostivari të përcaktojnë nëse dikush e ka autorizuar Kadriun që të shkojë në Siniçan për të bërë ekspertizë dhe nëse për këtë ka shënim zyrtar, por edhe çfarë heton.
Kjo është një fitore e banorëve të këtij fshati, të cilët me qëndresën e tyre dhanë shembull se si duhet përballur me presionin policor dhe politik, shembull që moti kohë u ka munguar shqiptarëve jo vetëm në Pollog, por edhe në Maqedoninë e Veriut.