Lajçak takon Bislimin në Prishtinë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet martën në Kosovë me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimin.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, nuk është përmendur arsyeja e vizitës.

Nuk është konfirmuar as nëse Lajçaku do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Lajçak viziton Kosovën një ditë pas një takimi në Athinë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Pas takimit me zyrtarin serb, Lajçak ka thënë në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se me Vuçeviqin ka biseduar për situatën e dialogut me Kosovën dhe për marrëdhëniet BE-Serbi.

Lajçak do të duhej të niste mandatin e si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, por diçka e tillë nuk do të ndodhë derisa të emërohet një zyrtar i ri në pozitën që ai aktualisht mban.

Në një intervistë për portalin Kosovo Online, në gjuhën serbe, të publikuar më 18 qershor, Lajçak ka thënë që i është kërkuar të vazhdojë të punojë ende në pozitën që ka, andaj do ta vazhdojë punën, por ka përmendur afate kohore.

Përgjatë mandatit të Lajçakut, dy vendet kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe për një aneks zbatimi, por pak është bërë në praktikë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL