Lajçak sot në Prishtinë – me data konkrete për rifillimin e dialogut

Pas anulimit të fluturimit të djeshëm nga Cyrihu, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajçak pritet që sot të jetë në Prishtinë.

Kështu kanë konfirmuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë të cilët kanë thënë po ashtu se Lajçak synon të paraqesë data konkrete për rifllimin e dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE-ja.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian Mirosllav Lajçak do të jetë sot në Prishtinë për të diskutuar modalitetet për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian synon të paraqesë data konkrete për rifillimin e shpejtë të tij”.

Emisari i BE-së për dialogun pritet të qëndrojë në vizitë treditore në Prishtinë ku, sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së.

Ndonëse u paralajmërua se do të ketë takime me liderë politikë, presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme tha se nuk e di nëse do të ketë një takim me Lajçakun.

I pari i vendit shpesh herë tha se nuk ka vullnet që të shkojë në negociatat e udhëhequra nga sllovaku Lajçak për shkak që ai ka votuar kundër Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në UNESCO, derisa vendi i tij akoma s’e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Në ndërkohë, Emisari Special i presidentit amerikan për dialogun Richard Grenell ka thënë se përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Lajm i jashtëzakonshëm. Unë e kam marrë zotimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht të ndalojnë fushatën e tërheqjeve të njohjeve dhe kërkimin e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare në mënyrë që të takohen në Washington DC në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”.