Lajçak: BE-në shiheni si partner e si mik, prandaj e kemi prezantuar propozimin (VIDEO)

Emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës, ka folur gjerë e gjatë për propozimin evropian, atë që më parë njihej si propozim franko-gjerman, i cili tanimë ka nisur të quhet edhe propozim amerikano-evropian.

Duke u ndaluar te premtimet e BE-së dhe mosrealizimi i tyre, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, Lajçaku tha se rasti i Maqedonisë dhe i Greqisë është ndryshme me rastin e Kosovës dhe të Serbisë.

Sipas tij, në rastin e parë, njëri vend ka qenë në BE dhe tjetri jo, kurse në rastin e dytë, asnjëri vend nuk është në BE.

“Nuk mund të pajtohem kur thoni se BE-ja s’ka bërë mjaft. Askush s’ka bërë aq sa ka bërë BE-ja. Nganjëherë kjo mbështetje dhe asistencë merret si e mirëqenë, nuk po flas për Kosovën po për rajonin në përgjithësi. BE-ja ka për t’u siguruar që ajo që është dakorduar ka për t’u zbatuar, të dy palët, Kosova dhe Serbia nuk janë anëtarë të BE-së, por aspirojnë të bëhen. Pra është situatë më ndryshe me situatën e Maqedonisë. Atje njëra palë ka qenë anëtare e BE-së, e tjetra jo. Nuk ka paralele” mes dy rasteve, tha Lajçaku në këtë intervistë, raporton Klankosova.tv.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të ketë frikë se dikush nga 27 vendet anëtare të BE-së do ta bllokojë Kosovën, duke thënë se vendi tashmë ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është marrëveshja e parë formale kontraktuale drejt anëtarësimit dhe është mbështetur në atë kohë nga të 28 vendet, kurse tani tha se e mbështesin 27 vende, pas largimit të Britanisë.

“Askush nuk e vë në pikëpyetje të ardhmen e Kosovës në Evropë. Është e rëndësishme të dihet kjo”.

“E kuptoj frikën, por duhet ta shikoni BE-në si partner, si mik. BE-ja e sheh BP-së në Evropë. Kosova merr pjesë në të gjitha diskutimet ndërmjet BP-së dhe BE-së. Kosova është aty dhe nuk është e përjashtuar nga kjo. BE-ja dëshiron paqen, stabilitetin, progresin dhe prosperitetin dhe të ardhmen evropiane. Kjo është arsyeja pse jemi këtu dhe pse e kemi prezantuar këtë propozim”, theksoi shefi i Dialogut Kosovë-Serbi.

Ai thotë se nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht ka për të dhënë një shtytje të madhe për aspiratat evropiane të dy vendeve.

“Të dyja janë në shkallë të ndryshme, Kosova po e zbaton MSA-në e Serbia po i negocion disa kapituj. Është procesi i njëjtë, por Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuarit nga rajoni. Askush në BE nuk vë pikëpyetje të ardhmen evropiane për 6 shtetet e BP-së, përfshirë edhe Kosovën”, shtoi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. /Klankosova.tv