“Lagja e Trimave”, banorët: 5 vite padrejtësi me dëmshpërblimet (VIDEO)

Pesë vite nga konflikti i armatosur në Lagjen e Trimave dhe një pjesë e banorëve akoma nuk kanë marrë dëmshpërblimet në vlerë prej 100. 000 denarëve që u kishte premtuar Qeveria. Banorët thonë se rreth 23 familje këtë shumë të hollash nuk e kanë parë me sy, ndërsa pretendojnë se pjesë e listës kanë qenë familje të tjera të cilëve madje as nuk u ka takuar ky dëmshpërblim. Lidhur me këto keqpërdorime banorët drejtojnë gishtin drejt disa personave që kanë qenë përgjegjës për ndarjen e këtyre mjeteve, e që janë bartës të funksioneve edhe tani. Banorët nuk përmendën emra, por vetëm në mënyrë indirekte dërguan porosi tek ata persona se i duan dëmshpërblimet që u takojnë.

Banorë
“Mirëpo ne as që i kemi parë ato para, dikush i ka marrë, nga dy persona prej një familjeje, dikush ka marrë që nuk është aspak këtu, ndërsa ne që kemi qenë edhe jemi shpërngulur, ne nuk kemi marrë asgjë. Ne kërkojmë ata që na takojnë, e për ata që na takojnë shumë mirë e dijnë tre persona, ata vetë le të paraqiten, nëse e përcjellin televizionin tuaj, ata e shohin se ku kanë gabuar, kanë marrë njerëz që nuk janë në këtë lagje aspak, shkaku i kësaj (A mund të na precizoni për cilët persona e keni fjalën). Nuk po shkoj me emra, emrat i tregojnë vetë ata, me dy prej atyre që i kanë ndarë të hollat unë kam bisedu, tha fol çfarë ke me fol këtu se nuk kam kohë më shumë, më tha unë timen e kam kryer ju bëni çfarë të doni. (Këta persona janë bartës të ndonjë funksioni). Janë në Qeveri”.

Banorët i bëjnë thonë se po kërkojnë vetëm atë që u takon dhe nuk duhet të neglizhohen.

Banor
“Dikund 22- 23 familje nuk kemi marë, jemi në listë që duhet të marrim, ka rast që kanë marrë lagjja ka qenë krejt tjetër kund që as ushtimën e krizmave nuk e kanë dëgjuar këtu. Ndërkohë ne kemi njerëz këtu që kanë marrë pasoja, kanë edhe sëmundje, trauma të them dhe nuk kemi marrë të holla. Bëjmë apel deri te Qeveria, konkretisht BDI-së po them, se ata na kanë shkatërruar krejt neve shqiptarëve, në përgjithësi na kanë shkatërru, le të bëjnë se çfarë të bëjnë, ato të holla që na kanë takuar ne të na japin, se ato neve na takojnë. Ne nuk dojmë më shumë përveç ato që na takojnë. ”

Banore
“Duam t’i gjejmë ata njerëz që kanë mbajtur rregull se kush duhet të merr dëmshpërblim dhe kush jo. Ne me komshinjtë kemi qenë tërë kohën këtu, ndërsa ata që nuk ishin këtu, t’i gjejmë se kanë marrë atë për të cilën ne kishim nevojë. Kërkojmë nga Qeveria të na jep atë që është e jona, ndërsa ata që i kanë marrë të hollat nuk i njohim, le t’i kthejnë dhe ata që janë të shënuar në listë, kush duhet të mer kush jo, ai e din shumë mirë…. Unë isha grua e vetme këtu, me vajzën time, kemi qenë shumë të shokuar, na kanë larguar të gjithëve nga këtu, ndërsa ata që ishin ma larg kanë marrë para në vend tonin.“

Përveç keqpërdorimeve për këto dëmshpërblime, banorët ankohen edhe për dëmshpërblimet materiale për dëmet që u janë shkaktuar nga konflikti i armatosur në vitin 2015

Banor

“Më kanë thënë se vetura është i vlerësuar 3400 euro, vetëm 1400 unë i kam pranuar, dëmin e kerrit. Për shtëpinë unë kam dal të shtunën nga ora 6, edhe kam dokument, jam në hermelin tu zbrit tek tregu poshtë”.

Banorët në mënyrë figurative kërkojnë që të gjendet siç thonë ata, “vaksina e virusit të tyre”, me qëllim që siç thonë të mos harrohen gjëra që kanë ndodhur.

Banor

“Unë nuk dua të përsëritem me këta që folën deri tani, kisha dashur të them vetëm një gjë, të gjindet vaksina e virusit tonë, domethënë të mos harrohen gjërat që kanë ndodhur”.

Avokati i angazhuar nga banorët Marko Ilievski tha se edhe pas rreth një viti që ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit lënda vazhdon të mbetet në procedurë parahetimore gjë që për avokatin është shumë e çuditshme./SHENJA/