“Ky është vrasësi i Ahmet Krasniqit”, Sali Berisha zbulon emrin, por kështu i përgjigjet Xhavit Haliti

Ish kryeministri i Shqipërisë dhe ish lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur edhe njëherë për vrasjen Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, kolonel, Ahmet Krasniqit.

Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj ish shefit të Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosit.

“Ahmet Krasniqi është eliminuar me ndërhyrjen e Fatos Klosit. Ai shoqërohej me dy oficerë të SHIK. Ata kanë qenë aty. Me 90 përqind, vrasësit i ka zgjedhur SHIK. Ai ishte në mbrojtje dhe mbikëqyrje të plotë të SHIK”, ka thënë ish kryeministri Berisha.

Por, ndaj Berishës ka reaguar ish deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili shumë herë është akuzuar për keqpërdorimet e fondeve të luftës, dhe paratë që i kishte marr nga Ahmet Krasniqi për UÇK-në.

Haliti i ka dal në mbrojtje Fatos Klosit, për të cilin thotë se “të vrasë ai s’ka ditë dhe s’ka bërë kurrë”

“Ne kemi komunikuar me Klosin pesë minuta pas lajmit për vrasjen e Ahmet Krasniqit. Kam qenë në darkë me Fatmir Zymberin dhe Shaban Mujën dhe një izraelit kur më thirri ai e më tha se e kanë vra ministrin e Mbrojtjes së Kosovës. U ndala thashë kush është ministri i Mbrojtjes. Por, ai nuk është njeri i tillë. Vetëm me vra dhe me organizuar të vrasë ai s’ka ditë dhe s’ka bërë kurrë”.

MË tej, Haliti ka thënë se vrasjet politike po shfrytëzohen për përplasje dhe akuza të ndërsjella mes Berishës dhe Klosit.

“Ne kemi qenë shokë me Ahmet Krasniqin, prandaj edhe më ka informuar Klosi. Krasniqi ka a qenë në një vijë me mua dhe ka pasë kontakte edhe shtabin e UÇK-së. Ai ka treguar gatishmëri që të punojë me ne dhe me u fut në struktura, por s’kemi arritur sepse u vra”, u shpreh Haliti.

E kohë më parë edhe ish komandanti në luftën e Koshares, Hysen Berisha, deklaroi se Ahmet Krasniqin e ka vrare dora serbe.

“Është gabim që në Speciale të trajtohen vrasje të disa individëve. Të selektohen rastet. Kolonelin Ahmet Krasniqi e ka vrarë dora e zezë e Serbisë, assesi nuk është vrasje mes ushtarakësh”, ka deklaruar Hisen Berisha.

Por një përgjigje të ashpër për ish komandantin e UÇK-së, e ka pasur Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit, Ahmet Krasniqi.

“Hisen komandanti, formula që këtë apo atë e ka vra Serbia apo « dora e zezë e Serbisë, ka dalur nga moda motiii. Ahmet Krasniqin e kane vra shqiptarët apo DORA E KUQE shqiptare dhe pikë! Kjo vrasje është turpi me i madh i Shqipërisë se dy Fatosave, pastaj krimineleve, spiunë të Serbisë nga radhët e shqiptareve! E kanë vra dhe e kane shpallur tradhtar, e ti apo ndonje tjeter deri ne vitin 2015 as qe keni guxuar ta përmendeni. Edhe rivarrimi i tij në Prishtinë është bërë që të mbyllet kapitulli e vrasjes së Ahmet Krasniqi!”, ka shkruar Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.