Kuvendi vazhdon nesër seancën konstituive

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur në faqen e tij se do të mbajë vazhdimin e seancës konstituive më 10 tetor në orën 10:00.

Ai e ka të përcaktuar vetëm një pikë në rendin e ditës: zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

Njoftimi i Kuvendit vjen një ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë proces.

Gjykata erdhi në përfundim se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, votimi në pako për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.

Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por ka dështuar ta zgjedhë atë nga pakica serbe – me gjithë vazhdimet e pafundme të seancës së nisur më 15 prill.

Deputetët do të kenë tani 12 ditë kohë, sipas urdhrit të gjykatës më të larët të vendit, për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për ta bërë Kuvendin e ri përfundimisht.

Gjykata nuk ka sqaruar as në aktgjykimin e fundit të saj se çfarë ndodh tutje nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe Kuvendi nuk konstituohet brenda 12 ditëve afat.

Si erdhi situata deri këtu?

Në proces e sipër të konstituimit të Kuvendit, kryetari i porsazgjedhur, Dimal Basha, u kërkoi propozimet e partive politike për pesë nënkryetarë të Kuvendit.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës u zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit përmes një votimi në pako.

Më pas u votua Emilija Rexhepi nga pakica joserbe përmes një votimi të ndarë nga pakica serbe.

Kur u kërkua emri i kandidatit për nënkrytear nga pakica serbe, Lista Serbe e propozoi Sllavko Simiqin. Ai nuk i mori votat e domosdoshme, mirëpo subjekti politik nuk hoqi dorë nga emri i tij.

Kryetari Basha, më pas, i shfrytëzoi dy mekanizmat zhbllokues, duke ndjekur procedurën e shortit dhe i hodhi nga tri herë në votim tetë prej 10 pjesëtarëve të komunitetit serb, meqë dy deputetë kishin refuzuar të kandidoheshin.

Pavarësisht se asnjëri kandidat nuk i mori votat e nevojshme, Basha erdhi në përfundim se Kuvendi ishte konstitutuar dhe se puna duhet të vazhdonte.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.

“Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit”.

Në një pikë të aktgjykimit, Gjykata ka përmendur se ekzistojnë raste kur Kuvendi do të mund të vazhdonte punën edhe pa i zgjedhur të gjithë nënkryetarët, mirëpo që ky nuk është as rasti dhe as nuk ka të bëjë me rrethanat konkrete, meqë procesi tani nuk është finalizuar për shkak të mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për kandidatët e propozuar, qoftë të propozuar drejtpërdrejt ose përmes shortit.

Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka thënë se bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, respektivisht 61 vota për, dhe propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.

“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”.

Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe i ka nëntë ulëse që janë të rezervuara për komunitetin serb dhe një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.

Pavarësisht se kanë kaluar muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në shkurt, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja.

Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend, duke i lënë prapa Partinë Demokratike të Kosovës me 24 ulëse, Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20, Listën Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet e reja.

Më herët, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve që t’i respektojnë vendimet e Kushtetueses dhe të mos i kenë në plan të parë interesat partiake./rel