Ndryshimet ligjore që parashohin ndalimin e shtetësisë së dyfishtë për deputetët janë sot (27 prill) në rend dite para Komisionit për Çështje Legjislative-Juridike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për propozim-ndryshime të dorëzuara nga VMRO–DPMNE, të cilat parashohin që në Ligjin për deputetë të shtohet kushti që në të ardhmen një deputet të ketë vetëm shtetësi maqedonase.
Ndërsa kjo çështje po diskutohet mes deputetëve, nuk ka një numër të saktë se sa prej anëtarëve aktualë të parlamentit kanë shtetësi të dyfishtë. Një e dhënë e tillë nuk ekziston as në shërbimet e Kuvendit, raporton Kolegium.mk.
“Kuvendi nuk disponon me të dhëna për shtetësi tjetër të deputetëve, përveç asaj maqedonase”, u përgjigjën shkurt nga institucioni.
Propozimi ka nxitur debat të ashpër mes pushtetit dhe opozitës.
Sipas ndryshimeve të propozuara, deputet mund të zgjidhet një person që plotëson këto kushte: të jetë vetëm shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, madhor, me aftësi vepruese, i pa dënuar me vendim të formës së prerë me mbi gjashtë muaj burg pa kusht dhe që nuk është duke vuajtur dënim me burg.
Sipas materialeve të publikuara, në proces ka edhe përpjekje për Filibuster, pasi janë dorëzuar 177 amendamente, mbi 150 prej tyre nga deputeti Bejxhan Ilijas i Partisë Demokratike të Turqve në Maqedoni.
Nga opozita, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nuk e kundërshton plotësisht ndryshimin, por kërkon që të vendosen afate konkrete edhe për deputetët aktualë. Sipas një amendamenti të tyre, deputetët në përbërjen aktuale duhet brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të dorëzojnë deklaratë të noterizuar se posedojnë vetëm shtetësi maqedonase.
Socialdemokratët dhe disa parti të tjera, si Partia Liberal-Demokrate, kërkojnë që ky kusht të vlejë jo vetëm për deputetët, por edhe për funksionarë të tjerë publikë, përfshirë kryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat.
Propozimi është kritikuar edhe nga disa parti, veçanërisht nga përfaqësues të bllokut politik shqiptar, ndërsa në publik janë ngritur shqetësime se ndryshime të tilla mund të kërkojnë ndërhyrje edhe në ligje të tjera, si Ligji për shtetësinë, i cili aktualisht lejon shtetësinë e dyfishtë.
Në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut garantohet e drejta e shtetësisë, por nuk ka dispozitë që përcakton numrin e shtetësive që mund të ketë një person.
Ndërkohë, kushti për të pasur vetëm shtetësi maqedonase tashmë është miratuar edhe për zgjedhjen e Prokurorit Publik të Republikës.
Ndryshe, në kohën kur u votua Qeveria, doli që dy anëtarë të Qeverisë të kenë shtetësi të dyfishtë. Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, rezultoi të kishte shtetësi bullgare dhe maqedonase. Ndërsa Zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, doli të jetë i pajisur me shtetësi të Belgjikës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, sipas njoftimeve të autoriteteve bullgare mbi 216 mijë pasaporta me shtetësi bullgare u janë lëshuar qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.



