Kuvendi përballet me numrin më të madh të ligjeve të rrëzuara

Vendimet e publikuara të premten nga Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin e 13 ligjeve pritet ta kthejnë Kosovën së paku dy vjet prapa, vlerësojnë monitoruesit e punës së Kuvendit. Përveç këtyre, gjatë mandatit katërvjeçar të legjislaturës së tetë u shfuqizuan edhe 9 ligje të tjera, disa tërësisht e disa pjesërisht, duke e bërë këtë përbërje të Kuvendit rekordin për numrin e ligjeve të rrëzuara.

Legjislatura e tetë, e cila kishte shumicën nga Lëvizja Vetëvendosje, ka miratuar numrin më të madh të ligjeve, por njëkohësisht ka shënuar edhe nivelin më të lartë të antikushtetutshmërisë. Nga viti 2021 deri më 2025, në Gjykatën Kushtetuese u kontestuan 46 ligje, ndërsa nga themelimi i kësaj gjykate deri në vitin 2020 ishin kontestuar gjithsej vetëm 17 ligje.

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar tërësisht 17 ligje dhe pjesërisht 5 të tjera nga kjo legjislaturë. Vetëm më 5 dhjetor 2024, në seancën e fundit të Kuvendit dhe pa praninë e opozitës, u miratuan 13 ligje që më pas u rrëzuan për shkak të shkeljeve procedurale gjatë miratimit.

Monitoruesi i Kuvendit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se deputetët nuk i kanë shqyrtuar ligjet përmbajtësisht, por kanë vepruar si “makinë votash”. Sipas tij, seanca e 5 dhjetorit përbën dëshmi të shkeljeve sistematike të Kushtetutës dhe e bën këtë legjislaturë më problematiken deri më tani.

Jakaj vlerëson se pasojat e këtyre vendimeve do ta kthejnë Kosovën gati dy vjet prapa, pasi bëhet fjalë për ligje që rregullojnë jetën e përditshme të qytetarëve, si ai për sigurimin shëndetësor, banimin social dhe lojërat mesdhetare. Krahas ligjeve të shfuqizuara, disa të tjera ende janë në shqyrtim për kushtetutshmëri, ndonëse kjo legjislaturë ka miratuar gjithsej 282 ligje – më së shumti nga të gjitha përbërjet e Kuvendit deri më sot.