Kuvendi në ngjyrë portokalli për “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me bazë gjinore”

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mori ngjyrë portokalli në kuadër të fushatës botërore “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me bazë gjinore”.

Kryetari i kuvendit, Afrim Gashi tha se ky është një mesazh se Kuvendi është vendosur të jetë në anën e çdo gruaje dhe vajze, dhe nuk toleron në asnjë formë dhunën.

“Përmes Programit për Mbështetje Parlamentare, sonte Kuvendi u ngjyros portokalli, duke iu bashkuar kështu fushatës botërore “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me bazë gjinore”.

Theksoj se ky akt nuk është vetëm një simbolikë vizuale, por një mesazh i qartë dhe i fuqishëm që institucioni më i lartë përfaqësues është i vendosur të jetë në anën e çdo gruaje dhe vajze, dhe nuk toleron në asnjë formë dhunën.

Le të shërbejë drita portokalli, si një thirrje për reflektim, ndërkaq bashkë me këtë dritë të ndizet shpresa për një shoqëri ku çdo grua dhe çdo vajzë jeton pa frikë, e respektuar dhe e mbrojtur”, shkroi Gashi.