Kuvendi miratoi Buxhetin për vitin 2024

Kuvendi në kuadër të vazhdimit të sotëm të seancës së 135-të, me 63 vota “pro”, pa vota “kundër” dhe 25 vota “abstenim”, miratoi Buxhetin për vitin 2024, i cili është në shumën totale prej 5.5 miliardë euro. Njëzëri me 87 vota “pro” Kuvendi miratoi Ligjin për ekzekutimin e buxhetit.

Të hyrat totale në vitin 2024 janë planifikuar në nivelin prej 310,1 miliardë denarë dhe janë 10 për qind më të larta në krahasim me vitin 2023, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivelin prej 343,6 miliardë denarë ose rreth 5,8 për qind më të larta në krahasim me vitin 2023. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 343,6 miliardë denarë, 5,8 për qind më të larta se në vitin 2023. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 45,2 miliardë denarë. Pritet një rritje prej dy për qind e numrit të të punësuarve. Për paga janë parashikuar 41,2 miliardë denarë, për mallra dhe shërbime janë planifikuar 25,3 miliardë denarë, për transfere rrjedhëse dhe subvencione 215,3 miliardë denarë. Për transferet sociale janë planifikuar 161,1 miliardë denarë, prej të cilave 83,6 miliardë denarë janë për pagesën e pensioneve, ndërsa rreth 13,2 miliardë denarë janë për përfitimet e mbrojtjes sociale për shtresat më të rrezikuara të popullatës.

Deficiti i parashikuar për vitin 2024 në vlerë prej 33,5 miliardë denarë si dhe shlyerja e borxhit në vlerë prej 45 miliardë denarë, prej të cilëve borxhi i jashtëm në vlerë prej 26,4 miliardë denarë dhe borxhi i brendshëm në vlerë prej 18,6 miliardë denarë do të paguhen nëpërmjet huamarrjes së brendshme dhe të jashtme.