Kuvendi i Serbisë shqyrton mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë

Deputetët e Kuvendit të Serbisë nisën seancën për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Serbisë.

Në seancë po marrin pjesë kryeministri Gjuro Macut dhe anëtarët e kabinetit të tij.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS), Mirosllav Alleksiq, tha se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është nxitur kryesisht nga afera e njohur si “Shtabi i përgjithshëm” dhe roli i ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, në këtë rast.

Mocioni u dorëzua nga 62 deputetë të opozitës në muajin shkurt, pasi Prokuroria për Krimin e Organizuar nisi hetime ndaj Sellakoviqit dhe tre zyrtarëve të tjerë.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë falsifikuar dokumente për t’ia hequr statusin e monumentit të mbrojtur kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, i cili u dëmtua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Heqja e këtij statusi hapi rrugën për ndërtimin e një kompleksi luksoz banesor dhe afarist në një nga zonat më të vlefshme të qendrës së Beogradit.

Megjithatë, Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – u tërhoq më pas nga invesimi.

Seanca u caktua më 24 korrik me kërkesë të 109 deputetëve të koalicionit qeverisës.

Më herët, shumica parlamentare refuzoi disa herë të siguronte kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e saj.

Nëse Kuvendi miraton mocionin e mosbesimit, atëherë do të nisë afati 30-ditor për formimin e një qeverie të re.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi do të shpërndahet dhe do të shpallen zgjedhjet e reja parlamentare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi më herët se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në tetor ose nëntor, ndërsa ato presidenciale disa muaj më vonë.

Studentët që udhëhoqën protestat masive pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare tash e gati një vit.

Deri më tani, autoritetet e refuzuan këtë kërkesë./REL