Kuvendi i hoqi imunitetin, Berisha: Akt antikushtetues!

Kuvendi votoi këtë të enjte me 75 vota pro për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Vetë ky i fundit, i cili ndodhej në sallë, por nuk pranoi ta merrte fjalën, e cilësoi akt antikushtetues e antidemokratik.

“Sot narko-parlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore, për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Në një mënyrë apo një tjetër, parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi më datë 9 Shtator, 2 vite me parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë. Se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë qëllimin e shkatërrimit të opozitës, por do e mobilizojë në shkallën më të lartë, nën moton ‘o sot o kurrë‘, do i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi. Ajo që mund të them se nga dita e sotme është se parlamenti nga klandestiniteti, përfundoi në parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot jo nga dyert zyrtare të parlamentit, por nga tunelet që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Pra, u fut nga vrima e miut në parlament. Beteja e nisur vazhdon fuqishëm si kurrë më parë dhe e garantoj se kjo opozitë do qëndrojë e pamposhtur në mbrojtjen e idealeve demokratike të saj”.

I pyetur përse nuk foli në seancë, ish-kryeministri u përgjigj: “Gjithçka është e paligjshme, gjithçka është antikushtetuese”./tvklan.al