Të shtunën u bë i ditur lajmi se 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Kërkesa e studentëve është dërguar tek Ministria e Drejtësisë, Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Mevlan Ademi, ish-kryertar i Parlamentit Studentor, në televizionin Alsat, deklaroi se Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e pranuan peticionin në gjuhën shqipe, pasi kërkuan që i njejti të jetë në gjuhën maqedone.
“Tek Agjencioni, tek Inspektorati dhe tek Ministria e Drejtësisë mu lejua që ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ndërsa në Kuvend dhe tek qeveria na u kërkua që të jetë në gjuhën maqedone. U revoltova dhe i pyeta se përse nuk më lejohet ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ata nuk më dhanë arsye por më thanë se pa maqedonisht nuk të japim vulë. Pastaj u detyrova ta përkthej dhe ta dorëzojë në gjuhën maqedone”, tha Ademi.
Ademi sqaroi se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite për këtë të drejtë, deri më sot kërkesa e studentëve nuk është marrë parasysh, ndaj pret që këtë herë kjo kërkesë të konkretizohet.



