Diplomatë të shumtë nga shtetet mike të Kosovës morën pjesë të premten në vazhdimin e 52-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila, ashtu si herët e kaluara, përfundoi pa rezultat konkret.
Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves dhe e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati, ishin ndër të parët që arritën në ambientet e Kuvendit, duke u shoqëruar më pas nga diplomatë të tjerë. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, mbërriti në këmbë, për shkak të afërsisë së zyrës së tij me parlamentin.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ishte ndër të parët liderë politikë që i përshëndeti përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërkohë që më vonë iu bashkua edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në kontrast, kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk zhvilloi komunikim me diplomatët dhe u drejtua menjëherë në vendin e tij në sallë, nga ku doli pak më vonë pas mbylljes së papritur të seancës.
Pas dështimit të radhës për formimin e institucioneve, ambasadorët nuk fshehën zhgënjimin.
“Jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar institucionet. Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt, dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj nga zgjedhjet. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një karton i kuq për ata që nuk konstituojnë Kuvendin”, deklaroi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Aivo Orav.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe, fatkeqësisht, asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë. I duhet një Qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit, për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së”, u shpreh Orav.
Ndërkohë, ambasadori britanik Hargreaves theksoi në një postim se “Kosova po hyn në një territor të panjohur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin nga kjo situatë”.
Kjo ishte hera e parë që nga 15 prilli që diplomatët e huaj morën pjesë fizikisht në sallën e Kuvendit, duke dhënë një sinjal të qartë se presioni ndërkombëtar për krijimin e institucioneve është në rritje.