Kushtet e motit ndikojnë në rrjedhën e sigurt të komunikacionit rrugor dhe Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) apelon te pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë të kujdesshëm, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për ngasje të sigurt në kushte të rrugëve të lagështa dhe temperatura të ulëta gjatë kushteve dimërore dhe vjeshtore të rrugëve.
KRSKRR i rikujton drejtuesit e mjeteve që t’i përgatisin automjetet e tyre për vozitje në kushtet e vjeshtës dhe dimrit, me theks të veçantë në:
• ULENI SHPEJTËSINË. Në kushtet e temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dendura të shiut apo borës pritet të ketë akull në rrugë, rrugë të lagështa dhe të rrëshqitshme, sidomos nëse udhëtoni në mëngjes herët apo në mbrëmje vonë. Prandaj, kini kujdes, rregulloni shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe mbani mend se gjëja më e rëndësishme është të mbërrini të gjallë, të shëndetshëm dhe të sigurt në destinacionin e dëshiruar.
• MBANI DISTANCËN E SIGURTË. Kushtet e këqija të motit dhe kushtet e këqija të rrugës ndikojnë në frenimin e automjetit. Prandaj, mbani një distancë të sigurt dhe kushtojini vëmendje sjelljes së pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
• JINI TË PARASHIKUESHËM. Për zhvillim të sigurt të komunikacionit në rrugët me shi, të lagështa dhe të ngrira, është veçanërisht e rëndësishme që veprimet tuaja në komunikacion të jenë të paralajmëruara, të pritshme dhe të parashikueshme. Prandaj, përdorni rregullisht sinjalet e kthesës dhe shmangni veprimet e papritura, të tilla si kthimi i fortë, ndalimi i papritur, ngadalësimi ose përshpejtimi i automjetit.
• NGASJE ME KUJDES NË KUSHTE ME MJEGULL. Sa herë që lëvizni nëpër mjegull, fillimisht uleni shpejtësinë dhe ndizni dritat e gjata dhe dritat e mjegullës (nëse keni). Zbatoni kufizimet e shpejtësisë dhe mos parakaloni automjetet e tjera derisa fusha juaj e shikimit të jetë e qartë, ndërsa parakalimi juaj të jetë i sigurt.
• BËJENI KONTROLLIN TEKNIK TË AUTOMJETIT. Në kushtet e vjeshtës në rrugë, është veçanërisht e rëndësishme të drejtoni një automjet teknikisht korrekt. Përvoja tregon se në temperatura më të ulëta dhe rrugë të lagështa e të rrëshqitshme, të gjitha keqfunksionimet e automjetit dalin në sipërfaqe. Për sigurinë tuaj, për arritje të sigurt dhe të qetë në destinacionin e dëshiruar, bëni një kontroll të rregullt dimëror të automjetit me theks të veçantë në kontrollin e sistemit të drejtimit, sistemit të frenimit, gomave, elektronikës dhe të ngjashme.
KRSKRR rikujton edhe një herë se siguria në komunikacion varet nga secili prej nesh dhe nëse të gjithë jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në komunikacion dhe respektojmë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, atëherë numri i aksidenteve dhe numri i të vdekurve dhe të lënduarve në aksidente trafiku do të reduktohet ndjeshëm.