Logoja e NIS-it mund të shihet në të paktën tri pika furnizuese me karburante në veri të Kosovës.Kush janë pronarët e pompave të mbyllura?A ka lidhje NIS-i me pikat e karburanteve në veri?
Radio Evropa e Lirë i drejtoi një pyetje Industrisë së Naftës të Serbisë, duke pyetur nëse pompat e karburanteve në veri të Kosovës janë në pronësi të tyre dhe nëse ato i furnizojnë me derivate. Mirëpo, përgjigje nuk ka kthyer deri në kohën kur u publikua ky tekst.
Në faqen e internetit të NIS-it mund të shihet se nuk i kanë stacionet e tyre në Kosovë.
Një nga pronarët e pompave të mbyllura i tha REL-it në një intervistë jozyrtare se qiranë ia kishte paguar Industrisë Serbe të Naftës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndryshe, sipas strategjisë së NIS-it, ajo kompani ka të drejtë të japë me qira pronën e saj të paluajtshme, e cila nuk është në plan për shfrytëzim të mëtutjeshëm.
Pronë e kujt janë ‘pompat NIS’ në veri të Kosovës?
Agjencia Kosovare e Privatizimit më 16 korrik kishte njoftuar se pompat e karburanteve nën kontrollin e tyre janë mbyllur, dhe se kanë pasur marrëveshje qiraje me pronarët, por se do të ndërpriten për shkak se këta biznesmenë nuk kanë licencë nga institucionet kompetente të Kosovës. Këto janë kryesisht pika karburanti që dikur ishin në pronësi të kompanisë së naftës Jugopetrol.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë Agjenci se kur kanë pasur marrëveshje qiraje me pronarët e pompave të mbyllura të benzinës dhe nëse ato marrëveshje janë lidhur ndonjëherë me NIS-in. Mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.
As Beogradi zyrtar dhe as përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për mbylljen e pompave të benzinës në veri të Kosovës. /REL/



