Kush na e fyen inteligjencën!

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka katandisur një papërgjegjësi absolute, e cila tashmë është shndërruar në një motiv të shëmtuar kur bëhet fjalë për botën akademike dhe përfaqësuesit e saj, të cilët shtiren se janë edhe prodhues të vlerave kulturore në këtë pjesë të hapësirës shqiptare.

Në fakt, shumica prej tyre manifestojnë një amatorizëm, për të mos thënë një analfabetizëm të skajshëm që përshkohet me një abuzim të gërditshëm, duke u munduar që “veprën” e tyre ta ambalazhojnë si një e arritur e “suksesshme”, në veçanti në lëmin e botimeve.

Kë duan ta mashtrojnë këta të ashtuquajtur intelektualë që jo vetëm ofendojnë shoqërinë shqiptare, por edhe abuzojnë me mjetet e taksapaguesve të kësaj shoqërie. Pa kurrfarë filtri, pa ndjenjën e përgjegjësisë, pa frikën nga mëkati, fusin periodikun e tyre në printer dhe realizojnë tirazh minimal, sa për t’i arsyetuar mjetet që i marrin nga Ministria e Kulturës.

Mënyra se si sajohet ajo që është brenda kopertinave të zbehta të periodikut, është kapitull në vete. Në aspektin estetik nuk i ngjan as hartimit të një filloristi. Pa koncept, pa qasje profesionale, pa redaktim adekuat, me shumë gabime gjuhësore (emrave të autorëve u mungojnë shkronjat) dhe çka jo tjetër.

Gjithsesi, përgjegjësi të madhe kanë edhe ata që janë pajtuar t’i vënë emrat e tyre në të ashtuquajturin “bord editorial”, të cilët përdoren vetëm si pandan kamuflimi të injorancës së atyre që qëndrojnë prapa projekteve të këtilla. Shtrohet pyetje: po kush i kontrollon këto paçavure në lëmin e botimeve?

A ka ndonjë organ që kërkon përgjegjësi për dështimet e këtilla apo edhe më tej do të tolerohet anarkia në lëmin e botimeve, të cilat, siç cekëm më lartë, ndihmohen (qind për qind) edhe nga taksapaguesit shqiptarë.

Është e patolerueshme që pseudo-intelektualët të vazhdojnë të na e fyejnë inteligjencën me botime e (mini)manifestime “kulturore”, që s’kanë dhe s’lënë asnjë gjurmë në rrafshin kulturor të shqiptarëve të këtij nënqielli.