Kush ka kontrolluar më shumë gjyqsorin, VMRO-DPMNE apo LSDM? Për këtë, të dy partitë kundërshtuese dolën me akuza të ndërsjella. Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE thonë se presione ndaj gjyqtarëve ka pasur gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM, domethënë kur Zaev ishte kryeministër, dhe se ai vendoste se kush do të përndiqej dhe kush do të ulej në bankën e të akuzuarit, dhe se urdhëronte përndjekje politike ndaj njerëzve nga atëherë opozita VMRO-DPMNE.
“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk zgjidheshin sipas ligjit dhe integritetit, por sipas bindjes. Nëse ndiqnit udhëzimet e Zoran Zaevit, qëndronit në funksion. Nëse tregonit pabindje, ditën tjetër bëheshit të shkarkuar. Rastet gjyqësore përcaktoheshin sipas masës politike. Në vend të drejtësisë, kishim llogari politike, dhe në vend të sundimit të ligjit, kishim sundim të frikës. Anëtarët e VMRO-DPMNE ishin subjekt i përndjekjes politike”, theksoi Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE.
Gjyqësori dhe prokuroria po vendosen nën kontroll të drejtpërdrejtë nga Mickoski, thonë nga LSDM, nga ku shtojnë se qeveria e ka shkarkuar prokurorin e mëparshëm Ljupço Kocevski për të emëruar një prokuror të tyre që do të jetë nën kontrollin e tyre. Ata theksojnë gjithashtu se Mickoski publikisht e ka eliminuar Lençe Ristoskën, ndërsa nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për mundësitë e keqpërdorimit të pushtetit.
“Nuk ka asnjë reagim për tenderët kriminalë që i publikoi Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së. Kanë kaluar më shumë se 80 ditë nga paraqitja e parë te antikorrupsioni, mbi 80 ditë asgjë, heshtje. Nuk ka reagim as nga Prokuroria dhe as nga Policia Financiare. Nuk ka përgjigje për 161 tenderë për firmën familjare të Tomovskit, për 51 tenderë për „Piramida Building“, për 74 tenderë për „Lendi Group“, për 9 milionë euro për një firmë me dy punonjës”, thonë nga LSDM.
Dhe pikërisht gjyqësori vazhdimisht është vënë në pah në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit tonë, ku theksohet se nuk ka përparim në pavarësinë e gjyqësorit dhe se ndërhyrja e jashtme dhe politike mbeten arsye për shqetësim serioz.





