Kush kontrolloi dokumente në zyrat e “Besa trans”?! Inspektorati i Transportit thonë se ata nuk kanë hyrë fare!

Gjatë ditës, më 26 nëntor Inspektorati Shtetëror për Transport njoftoi se ka dështuar përpjekja për të hyrë në zyrat e kompanisë turistike “Besa trans”, për të kryer kontrolle për autobusin e aksidentuar më 23 nëntor në Bullgari.

Pak orë më vonë, u pa se zyrat e kësaj kompanie ishin hapur dhe në të po kontrolloheshin dokumente.

Për këtë u raportua se “Inspektorati ka hyrë në zyrat e Besa Trans“.

Megjithatë, drejtori i Inspektoratit, Rufat Huseini në ClickPlus tha se ata ende nuk kanë kryer kontrolle në kompaninë turistike.

“Ne nuk kemi hyrë. Ne ende nuk kemi hyrë në “Besa trans”. Pas ngjarjes ne nuk kemi hyrë ende në zyrat e “Besa trans”.
Gazetari: Atë natë nuk ishit ju? Ishte Policia Financiare?
Jo, nuk e di kush ka qenë. Inspektorati Shtetëror për Transport nuk ka marr pjesë atë natë. E kam parë se është përmendur në mjetet e informimit, por ne nuk kemi qenë prezent”./TV21