Kush janë halabakët që po e pengojnë Ligjin për shtetësinë?

Fejzi HAJDARI

Ligjin për shtetësinë nuk mund ta pengojnë maqedonasit. Ligjin për shtetësinë po e pengojnë ata shqiptarë të pushtetit (shqiptarë u thënçin), të cilët me dekada nuk kanë mundur ta zgjidhin këtë problem. Jo se ka qenë shumë problem i rëndë për t’u zgjidhur, por se janë të paaftë dhe qëllimisht e kanë komplikur, për të përfituar nga halli i qytetarëve pa nënshtetësi.
Si kanë përfituar nga qytetarët pa nënshtetësi?
U kanë marrë ryshfet, që t’ju mundësojnë të realizojnë të drejtën elementare për të pasur shtetësinë e vendit ku kanë lindur, ose ku jetojnë me dekada.
Edhe atë jo ryshfet për vete, por se po “duhet patjetër me i dhanë Sashës, Nikollës, Zoranit ose Hristijanit” (e fut paratë në xhep të vet).
Ja këtyre nuk u konvenon të zgjidhet problemi i nënshtetësisë, sepse do të bëhet e qartë se ky problem nuk ka qenë i madh, siç e kanë paraqitur. Do të dalë në shesh se shkaku i paaftësisë dhe grykësisë së tyre për ryshfet, mijëra shqiptarë sot e kësaj dite nuk kanë nënshtetësi.
Qytetarët që me vite të tëra nuk kanë pasur nënshtetësi, si dhe ata që nuk kanë sot e kësaj dite, do ta kuptojnë se faji kryesor nuk ka qenë te maqedonët, por te ‘halabakët tanë’.
Ata e kanë keqpërdorë hallin e shqiptarëve pa nënshtetësi, duke i shantazhuar në stilin “DBK-ja s’po don me ta dhanë nënshtetësinë, po unë kam fol direkt me kryetarin për rastin tënd edhe do të bëhet”.
Mirëpo para se me u bë, kshyr siguroj për Ivanovin votat e familjarëve tu që kanë nënshtetësi, votat e lagjes, apo fshati tënd. Nëse ia siguron kaq apo aq vota Ivanovit për president, ta bëjmë nënshtetësinë pa problem, se e kemi kandidat të përbashkët. Nëse për partinë tonë siguron 100 ose 200 vota, nënshtetësinë e merr pa problem… Ja kështu janë shantazhuar në çdo zgjedhje shqiptarët hallexhinjë. Herë u është kërkuar të votojnë Ivanovin, herë të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Herë u është kërkuar ryshfet, e herë të votojnë partinënë pushtet.
Dhe shih për çudi, janë të njëjtit politikanë, që edhe sot e kësaj dite mundohen të pengojnë zgjidhjen e këtij problemi. Ofrojnë ligjin e vitit 2004. Për një ligj, që 17 vite të plota nuk ka zgjidhur problemi e mijëra shtetësive, thonë se është zgjidhje në ditë të sotit! Pse more disa politikanë që vota shqiptare i ka bë njerëz, mendojnë se shqiptarët manipulohen siç kanë qejf ata? A aq shumë janë ndikuar nga ka dikush që e sqaron këtë fenomen?