Kush ishte anëtari i “Frontit të Kuq” i ngarkuar për vrasjen e Jusuf Gërvallës? Ripublikohet deklarata e tij

Edhe pse kanë kaluar 40 vite që nga vrasja e Bardhyl e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, atentatorët e këtij krimi ende nuk janë zbuluar.

Ka shumë pyetje lidhur me këtë atentat ndaj vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, por ato ende nuk kanë përgjigje.

Publicisti dhe analisti i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, është ka thënë se mungesa e një shteti ligjor ka favorizuar krimin dhe kriminelët.

“Për 40 vjet radhazi vazhdojnë të përsëritën dy pyetjet bazë: Si u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka dhe kush i vrau ata, e përjetësuar në këngën “Kush të vrau Jusuf Gërvalla…”, e cila shprehë një dhimbje të trishtme e skajore?!

Është mjerim se si mistifikohen ngjarje e krime në Kosovën tonë, ndërkohë që faktet janë relevante, pavarësisht dekadave që na ndajnë, nga koha kur krimi ka ndodhur. Mungesa e një shteti ligjor, siç është Kosova, ka favorizuar krimin dhe kriminelët. E themi këtë, sepse në të njëjtën kohë dhe për të njëjtat motive politike, shteti kroat i pavarësuar nga Federata Jugosllave, ka insistuar ke pala gjermane për hetimin dhe zbulimin e krimeve të UDB-së, ndaj eksponentëve nacionalistë kroatë, të aziluar në Gjermani, duke dhënë dënime drastike, madje të përjetshme për kriminelët”, ka thënë ai për “Bota sot”.

ImageIdriz ZeqirajFOTO GALERI
Zeqiraj ka treguar se kush dhe se si është realizuar vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka.

“Vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, u realizua në saje të një bashkëpunimi koordinues, në mes të UDB-së jugosllave dhe agjentëve të saj shqiptarë. Nga hetimet e bëra nga organet kompetente gjermane, si dhe analizat e Familjes Gërvalla, rezulton se disa individë të grupimit politik “Fronti i Kuq”, i kryesuar nga Ibrahim Kelmendi, i përfshirë në rivalitet politik me dy grupet tjera politike, pra, të Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës, dyshohet se “ka gisht” në përgatitjen logjistike të atentatimit të Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në Untengruppenbachtë Heilbronnit”, ka deklaruar ai.

Më tej, Zeqiraj i ka parashtruar disa pyetje në lidhje me Kadri Zekën.

“Pyetjet bazë janë: Kush e solli Kadri Zekën nga Zvicra, vetëm 10 ditë pas martesës me Saime Isufin? Ku qëndroi ai në Gjermani? Kush e shoqëroi atë, deri në natën kobshme, të takimit në banesën e Jusuf Gërvallës. Nga pesë emrat e lakuar, anëtarë të “Frontit të Kuq”, njëri syresh pranon implikimin në krim dhe akuzon shefin e grupit se “ai më ka futur në lojë” dhe ka shfaqur gatishmëri për ballafaqim hetimi, para drejtësisë, me ish-shefin e tij, për rastin në fjalë. Ndërkohë, njeriu i cituar, si i parë i grupit politik, Ibrahim Kelmendi, akuzohen, reciprokisht, me Riza Salihun, për vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka”, është shprehur Zeqiraj.

Po ashtu, ai ka cituar edhe deklaratën e anëtarit të “Frontit të Kuq”, Hysen Gega, të cilën e kishte dhënë në vitin 1993.

“Hysen Gega, anëtar i “Frontit të Kuq”, në një intervistë të realizuar nga “Zëri i Kosovës”, fletushkë e LPRK-së, më 2 shkurt 1993, pranon se “Komiteti” “më ngarkoi për ta vrarë Jusufin dhe Bardhin, por, u pendova dhe nuk e zbatova urdhrin”. Ai u kërkon ndjesë Vëllezërve Gërvalla, dorëzon edhe armën. Pastaj, i njëjti “Komitet”, që nënkupton kryesinë e “Frontit të Kuq”, e përcjellë Hysen Gegën për Kosovë, me një trastë literaturë maksiste-leniniste. Në Kosovë vihet në kurthin e UDB-së, duke e burgosur më 31 dhjetor 1980 dhe dënohet me 12 vjet burg. Ndoshta, “Komiteti”, qëllimshëm, u hakmor ndaj Gegës, për mos kryerjen e atentatit kundër Gërvallajve”, ka treguar ai.

Sipas tij, vëllezërit e Bardhyl dhe Jusuf Gërvalla në vitet e 90-ta kishin shkruar një letër publike që kishte të bënte me katër akuza për atentatin.

“Vëllezërit në jetë, Hysen e Avdyl Gërvalla, përkatësisht, vëllai i madh dhe i vogli, të heronjve Gërvalla, me një letër publike, në vitet `90-a, shprehin dyshimin në Ibrahim Kelmendin, për implikimin në vrasjen e vëllezërve të tyre. Në mes tjerash, në letër renditën 4 fakte-akuzë. Po sjellim vetëm njërin prej tyre: I dyshuari porositë Saime Isufin, nusen e Kadri Zekës, ta informojë me telefon, lidhur me rezultatin e bisedimeve të Kadriut me Jusufin, sapo të këtë mbaruar takimi i tyre!”, ka cekur ai.

Po ashtu, Zeqiraj ka zbuluar se kush ishin të për pjesë e krimit vrastar të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka.

“Jusufi, si kërkues azili, ende nuk kishte të drejtë posedimi të telefonit të shtëpisë. Djemtë e Kosovës, Jusufi, Kadriu, Bardhi, duhej të shkonin në kabinën telefonike rrugore të fshatit, ku jetonte Familja Gërvalla. Në momentin kur dalin nga Garazha, me veturë, shënjestrohen për vdekje. Pra, kush dhe pse këmbënguli për bërjen e asaj telefonate, bash, në natën fatale për djemtë, sot, heronj. Ky fakt domethënës, dëshmon se pjesë e krimit vrastar të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, ishin edhe shqiptarët”, ka deklaruar Zeqiraj për “Bota sot”.