Kush ishin yjet që performuan në “Sunny Hill” edicionet e kaluara?

“Sunny Hill”, festivali që mblidhte mijëra njerëz dhe yjet botërore në Prishtinë, këtë vit rikthehet pas dy vitesh pauzë.

Festivali ka dështuar të organizohet në Prishtinë, kështu është zhvendosur për në Tiranë, shkruan lajmi.net.

Prishtina humbi organizimin e festivalit si pasojë e vonesave të dokumentacioneve nga ana e MAPL-së.

Paraprakisht, Komuna e Prishtinës u pajtua t’ia japë “Sunny Hill” tokën prej 17 hektarësh në Bërnicë të Prishtinës, por çështja ngeci në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila duhej ta vlerësonte ligjshmërinë e kontratës.

Organizatori dhe themelues i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa publikoi në rrjetin social “Facebook” një letër të cilën tha se ia kishte dërguar Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Ministrave Elbert Krasniqi dhe Hajrulla Çeku, kryediplomates Donika Gërvalla – Schwarz dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Në këtë letër, Lipa kishte përmendur që gjatë dy sezoneve që është mbajtur festivali “Sunny Hill”, kanë përformuar artistët më të njohur të muzikës së kohës sonë.

“Me Sunny Hill Festival, në Prishtinë krijohet një moment i ri kulturor, ku shteti më i ri në Evropë sjell emrat më të njohur të muzikës së kohës sonë, në kryeqytetin më të izoluar në Evropë.

Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të huaj e vendorë të cilët bëhen bashkë, krijojnë sinergji dhe e bëjnë të mundur që Kosova të bëhet trend ditor global në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.”, thuhet në letrën e Lipës.

Ndërsa, deri para pak ditësh ishin bërë publike disa emra që do të përformonin këtë vit në Prishtinë e që tashmë do të përformojnë në Tiranë.

Pjesë e kësaj liste ishin artistët e njohur si: Skepta, AJ Tracey, Diplo, Burak Yeter, Mahmood, DJ Regard, Kamal dhe Romeo Blanco.