Kush i pari do të merr vaksinën “bullgare”?

“Sot kemi mysafir Ministrin e Shëndetësisë së vëllezërve dhe motrave tona në Maqedoninë e Veriut”, tha Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.

Kjo deklaratë e kryeministrit bullgar Borisov nxiti shumë reagime në vend, saqë opinioni hedh dyshimet që ndihma me vaksinat ka një prapavijë tjetër. Nga Qeveria mohuan zërat që në prioritet të marrjes së vaksinës së ardhur përmes Bullgarisë, do të jenë shtetasit maqedonas me nënshtetësi bullgare.

Sipas planit posa të arrij vaksina në vend, thamë se kjo do të ndodh në muajt e parë të 2021, të parët do ta marrin mjekët, personeli medicinal dhe gjithë të tjerët që janë në linjën e parë të frontit me pandeminë. Pastaj të sëmurët kronik, të moshuarit, të punësuarit nëpër çerdhe dhe të tjerët që janë në listën me prioritet. Pastaj edhe si shumë qytetarë të tjerë do të vaksinohen edhe politikanët”-pohoi Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

Nga VMRO DPMNE druajnë që kjo ujdi do të ndikoj në kushtëzimet e mëvonshme në bisedimet mes dy shteteve për çështjen e historisë së dy popujve. Madje kreu i kësaj partie Hristijan Miskoski kërkon që të zbardhen të gjitha detajet e marrëveshjes për vaksinat anti-kovid.

Është për tu lavdëruar përpjekja e gjithsecilit që të arrihet te vaksina për #COVID për sa më tepër qytetarë maqedonas, madje dhe përmes ndihmës nga fqinjët! Vetëm do doja ta pyes Venko Filipçen, çfarë saktë është bërë marrëveshja? Kur dhe sa vaksina mund të presim, në mënyrë që të bëhet një plan i detajuar?”-deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DOMNE-së.

Përveç një sasie dozash që pritet të na dhuroj fqinji lindor, vendi ynë ka në tryezë edhe tri mundësi tjera. Vaksinat që pritet të rishiten tek ne nga Polonia dhe Greqia mbeten në plan rezervë. Përmes metodës Covax, 833 mijë dozat tjera të vaksinës anti-kovid pritet të arrijnë në muajin mars. Për të porositur drejtpërdrejtë nga kompanitë farmaceutike Pfizer&BioNtech, Oxford&AstraZeneka, duhet të bëhen ndryshimet në Ligjin për furnizime publike. Brenda 5 ditësh Ministria e Financave dhe Byroja për furnizime publike pritet të përgatisin Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime, në mënyrë që të mundësohet parapagesa mbi 20% e shumës së porositur të vaksinave anti-kovid.

Ndërkaq mbrëmë, për zbatimin e planit nacional për vaksinimi kundër CoVid-19, Qeveria obligoi MPB, Agjencinë e Barnave, Drejtorinë e Doganave dhe Ministrinë e Shëndetësisë që në afat 7 ditor të planifikojnë organizimin operativ të pranimit, ruajtjes, shpërndarjes dhe dhënies së vaksinës. Një plan të brendshëm veprimi, ekzekutivi kërkoi për 7 ditë dhe nga kompania TAV Maqedoni.