Alain Giresse është figura që dje ka ateruar në aeroportin e Prishtinës dhe sot është konfirmuar si trajner i ri. Francezi 69 vjeçar ka pasur një karrierë të pasur si futbollist, por edhe si trajner, duke drejtuar disa kombëtare kryesisht nga futbolli i Afrikës.
Por, kush më hollësisht është Alain Giresse, njeriu që me Kosovën do të synojë kualifikimin nëpër garat më prestigjioze të futbollit me kombëtare?
Karriera si lojtar:
Alain Giresse karrierën e tij si futbollist e zhvilloi në Francë, ku luajti me dy skuadra; Marseille dhe Bordeaux – kjo e fundit si skuadra kryesore në karrierën e tij. Giresse kishte regjistruar 519 paraqitje me Bordeaux, mes ë cilave kishte gjetur golin 158 herë, kurse me Marseille pati 5 gola në 67 paraqite. Në total, Giresse ka luajtur 586 ndeshje në nivel klubesh, duke shënuar 163 gola.
Francezi bëri mirë edhe me kombëtaren e Francës, ku në 47 paraqitje kishte 6 gola. Giresse luante si mesfushor ofensiv, përcjell lajmi.net.
Në vitin 1982, Giresse përfundonte i dyti në garën për Topin e Artë, i njëjti vit ky që e pa atë të fitonte çmimin si lojtari i vitit në Francë.
Karriera si trajner:
Në karrierën e tij si trajner, Giresse ka preferuar të ndërrojë më shumë skuadra sesa kur ishte lojtar. Karrierën prej trajneri Giresse e nisi me klube, ku drejtoi skuadra si Toulouse, PSG e FAR Rabat. Asnjëra prej këtyre aventurave nuk shënoi ndonjë sukses për t’u veçuar.
Në nivel kombëtaresh, francezi ka drejtuar Gjeorgjinë, Gabonin, Malin (dy periudha të ndryshme), Senegalin, Tunizinë dhe tashmë pritet ta drejtojë Kosovën.
Në 10 ndeshje që drejtoi Gjeorgjinë, Giresse fitoi dy ndeshje, barazoi dy dhe humbi gjashtë, përcjell lajmi.net. Diçka më mirë bëri me Gabonin, ku në 31 ndeshje fitoi 16 sosh, duke barazuar shtatë e humbur tetë.
Edhe aventura e parë me Malin ishte pozitive, me 8 fitore, dy barazime e gjashtë humbje, në 16 ndeshje, para se të shkonte te Senegali ku pati rekord negativ prej 7 fitore, 8 barazime e tri humbje në 18 ndeshje. Giresse do të kthehej përsëri te Mali, për 16 ndeshje të tjera që e panë të merrte 8 fitore, 4 barazime e 4 humbje.
Aventura e fundit e Alain Jean Giresse ishte me kombëtaren e Tunizisë, ku ishte në krye për 12 ndeshje, nga të cilat mori pesë fitore, katër barazime e tri humbje.
Sistemi i preferuar:
Giresse njihet në përgjithësi si një trajner që i pëlqen të aplikojë futboll më ofensiv dhe me presing më të lartë. Francezi ka tentuar (së paku) që me skuadrat e tij të aplikojë një lojë me pasime të shkurta e të shpejta, me mentalitet sulmues dhe me një presing më të lartë.
Francezi si sistem klasik preferon 4-4-2, por në aventurën e tij të fundit ka parë shpesh skuadrën të zbres me 4-3-3/4-2-3-1, përcjell lajmi.net. Kosova së fundmi ka përdorur të dyja këto skema (4-4-2 me Gliha dhe dy të tjerat me Challandes), dhe lojtarët e saj janë të një profili që mund t’i përshtaten të dyja skemave, me emra varësisht prej kërkesave më specifike të trajnerit.
Në aspektin defensiv, Alain Giresse – siç është më e zakonshme – ka përdorur mbrojtjen zonale para markimit lojtar-për-lojtar.
Giresse do të nis aventurën e tij me Kosovën qysh në muajin mars, kur do të ketë miqësore me Zvicrën e Burkina Fason. Po ashtu, Liga e Kombeve do të jetë kompeticion i rëndësishëm për të justifikuar besimin e krerëve të FFK. /Lajmi.net/




