Kush e solli Rusinë?!

Shkruan: Naser Pajaziti

vazhdojmë…

A e dini se oligarku rus është bossi i kompanisë kryesore për “dyqanet e parave” dhe kreditë e shpejta në Maqedoninë e Veriut!

“Kredi të shpejta”, “Dyqane parash” mund të shohësh gjithandej nëpër qytetet e Maqedonisë së Veriut.

Në dyert e këtyre zyrave shpeshherë sheh njerëz që me fytyra të vërenjtura hyjnë e dalin, sepse tashmë janë futur në labirinthin e këtij dyqani, që të zhveshë nga gjithçka.

A e dini se janë 35 kompani të tilla që qarkullojnë miliona euro. Por ajo që dihet më pak është – kush janë bosët e vërtetë të kompanive të tilla, sa fitim kanë, sa taksa paguajnë?!

Në biznesin e kredive të shpejta në Maqedoninë e Veriut, miliarderët rusë, bullgarë dhe çekë janë lojtarët më të rëndësishëm.

Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë, miliarderi rus me nënshtetësi italiane, Oleg Viktorovich Bojko, i cili sipas Forbes peshon të paktën 1.2 miliardë dollarë, në Maqedoni erdhi në vitin 2017. Në Regjistrin Qendror të Maqedonisë kishte hapur kompaninë për kredi të shpejta me emrin “Digital Finance International”.

Ky oligark rus 59-vjeçar që zotëron kompanive të kredive të shpejta në mbi 30 shtete, është vendosur në tre lista sanksionesh.

Ai është futur në listën e sanksioneve të Australisë, të Kanadasë dhe të Ukrainës, për shkak të “mbështetjes financiare të qeverisë ruse që pushtoi Ukrainën”, kjo sipas bazës ndërkombëtare të të dhënave Open Sanctions.

Bojko po ashtu është edhe në të ashtuquajturën “Lista e Putinit” të Departamentit të Thesarit amerikan, ku renditet i 17-ti në grupin e 96 oligarkëve që përbëjnë rrethin e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, raporton media amerikane CNN.

Në Maqedoninë e Veriut, përmes “Digital Finance International” zotëron markat për kredi të shpejta të njohura si “Forca” dhe “Credi”. Përveç të huajve, me këtë biznes merren edhe djemtë dhe të afërmit e politikanëve maqedonas.

Gjatë 2022 qarkullimi i të ardhurave të tyre ka qenë afër 70 milionë euro, me fitime prej gati 16 milionë euro.

Po ku shkojnë gjithë këto para?

Nga ajo që tashmë dihet një pjesë e tyre transferohen jashtë shteti, duke kaluar nëpër transaksione misterioze. A duhet të ndërmerret gjë ndaj këtyre dyqaneve që të japin një dhe të marrin dhjetëfishin e njëzetfishin!