Shkelzen Halimi
Me gënjeshtra nuk bëhet as kultura, siç pretendojnë disa biçim “intelektualë”, të cilët, siç e do momenti edhe ndryshojnë. Herë bëhen patriotë, duke i keqpërdorur vlerat tona më të shenjtë, herë bëhen historianë, duke folur nëpër tribuna historike pikërisht për ato vlera të shenjta, herë bëhen poetë, duke lexuar nëpër orë poetikë, e duke qenë anëtar juria, e duke ndarë shpërblime në stilin: “unë ty e ti mua”, herë merren me dizajn, e herë herë “shndërrohen” në ‘analistë”, duke vajtuar për fatin e kombit.
Janë pikërisht këta gënjeshtarë që dinë gjithçka, kurse në fakt janë analfabetë, duke mos pasur as njohuri elementare për ABC e demokracisë. Jemi dëshmitarë se kush i merr detyrat partiake për t’i udhëhequr institucionet kulturore. Ata që ulen në kolltuk, punën e parë që bëjnë, është gozhdimi në ulëse, si garanci për jetëgjatësinë në atë detyrë. Pra: “të na rrojë partia”.
Janë këta që nuk u lëviz as qerpiku i syrit për dështimet e shumta që ndodhin edhe në segmentet e kulturës. Janë këtë që prodhojnë vetëm anti-vlera kulturore, sepse duhet të jetë e qartë: nuk bëhet kultura me defaxhinj, daullexhinj e zurlaxhinj.
Mungesa e vetëdijes kombëtare na ka sjellë këtu ku jemi, as në qiell e as në tokë, duke u shndërruar në krijesa fluide, të tejdukshme dhe duke u mbuluar me shumë dilema që prekin çështjen e identitetit tonë. Gjithandej, kemi filluar të bëhemi më katolikë se papa, më anglez se anglezët dhe preferojmë që kulturën ta bëjmë në shtigje me gjatësi milimetrike, sepse për shtigje të gjata nuk kemi kohë.
Kultura është një dimension që shtresohet gur mbi gur, derisa të ndërtohet kalaja. E kur të ndërtohet, atëherë do të jemi të mbrojtur nga çdo rrezik i jashtëm. Derisa të arrijmë te fillimi i ngritjes së vetëdijes, rreziku më i madh do të vazhdojë të na vijë nga vetvetja, duke lejuar që të tjerët të na e përcaktojnë fatin edhe në lëmin e kulturës.
Po që se nuk i kthehemi rrugës së vërtetë, është shumë normale që rolin primar të vazhdojë ta ushtrojë kaosi dhe mentalitetit funksional përçarës, si trysnia më e madhe e kombit tonë. Kjo ka bërë që shqiptarët të kenë edhe disa kultura e disa histori, ndërkaq kjo mund të hapë Kutinë e Pandorës që të kemi edhe më shumë kombe shqiptare, pikërisht siç u konvenon disa qendrave në realizimin e projekteve antishqiptare në Ballkanin gjithnjë të trazuar.
Është e koha e katarsisit gjithandej hapësirave shqiptare, sepse kultura jonë, edhe pas tridhjetë e sa vjetëve të çlirimit nga komunizmi, assesi të çlirohet nga qasja komuniste, leniniste e marksiste, por edhe nga analfabetët, të cilët jo vetëm që janë bërë “ekspertë” të gjithanshëm në jetën tonë kulturore, por edhe marioneta të politikave ditore, të cilët sa herë që e do nevoja, nuk përtojnë fare t’i lëshojnë edhe pantallonat…
E, me të tillët nuk ka kulturë shqiptare të shëndoshë…




