Kurti: Zgjedhjet të mbahen pasi të mbarojë pandemia

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.

Sipas Kurtit, ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

“Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cenohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti ka shkruar se pas përfundimit të pandemisë me koronavirus duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

“Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike”, ka shkruar Kurti në facebook.