Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij qytetare duke votuar sot në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve lokale për kryetarë dhe asamble komunale.
Pas votimit, Kurti u prononcua shkurt para mediave duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të ardhmen e komuniteteve lokale në Kosovë.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona – për çerdhet, për shkollën, për ujin, për shërbimet, në lagjet e qytetarëve dhe fshatrat ku jetojmë”, tha Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos e neglizhojnë këtë të drejtë dhe përgjegjësi, duke e konsideruar votimin si një akt përfaqësimi të drejtpërdrejt në zgjidhjen e problemeve të përditshme.
“Përveç qytetarë, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj ftoj qytetarët pa dallim që ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë, për të plotësuar të drejtat e tyre”, shtoi ai.