Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Kurti ka bërë të ditur se ky ishte takimi i tij i parë në kuadër të samitit, gjatë të cilit është diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës, reformat dhe marrëveshjet rajonale.
Ai ka theksuar se me institucione plotësisht funksionale, Kosova do të përshpejtojë reformat e nevojshme për integrimin evropian.
“Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për ‘Roam like at Home’, për t’iu bashkuar zonës pa tarifa shtesë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës dhe harmonizimi me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian të reflektohen në hapa konkretë drejt anëtarësimit.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka theksuar ai.
Kurti është ndalur edhe te marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke thënë se Kosova i ka ratifikuar të gjitha, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave.
Në këtë drejtim, ai ka kërkuar që marrëveshjet të zbatohen nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, duke përmendur në mënyrë të veçantë Serbinë.
“Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, ka deklaruar Kurti./Telegrafi/



