Kurti takim me mërgatën në Gjermani: Regjistrohuni, votoni dhe investoni në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti po qëndron për vizitë në Gjermani, ku mbrëmë mori pjesë në në panairin “Hannover Messe 2024”.

Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, dje në orët e mbrëmjes takoi pjesëtarë të mërgatës atje, me të cilët bisedoi për përfshirjen e tyre në shoqërinë e Kosovës, pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, zgjedhjet evropiane në qershor të këtij viti dhe tema tjera me interes.

Sipas njoftimit për media thuhet se Kurti i njoftoi ata për zhvillimet e fundit në vend, dhe me rezultatet e qeverisjes tash më shumë se tri vjet, dhe me politikat sociale dhe zhvillimore të qeverisë, përfshirë ato të punësimit të të rinjve dhe ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës frymëzuar nga modelet e arsimit dual që i gjejmë pikërisht në Gjermani, Zvicër e Austri.

“Duke marrë parasysh progresin që vendi ka shënuar në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë dhe duke marrë shkas pjesëmarrjen në panairin “Hannover Messe 2024”, kryeministri i ftoi edhe inkurajoi mërgatën që të investojnë në Kosovë. Atyre që kanë biznese në Gjermani u bëri thirrje që të hapin degë në Kosovë, ku ju ofrohen kushte të favorshme për investime”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim theksohet se në kohën kur po zhvillohet procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, kryeministri përfitoi nga rasti për t’ua rikujtuar dhe për t’i ftuar mërgatën që të regjistrohen nëpërmjet platformës online ediaspora.rks-gov.net deri më 17 maj.

Ai theksoi se ky proces na mundëson që të dimë se sa e kemi diasporën dhe është përcaktues për politikat zhvillimore të dekadës së ardhshme.

“Ndërkaq sa i përket zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, kryeministri porositi të gjithë ata që janë qytetarët të shteteve të Bashkimit Evropian të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe të jenë pjesëmarrës në proceset demokratike të vendeve tyre dhe të kontinentit evropian.

Kryeministri Kurti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për mikpritjen e ngrohtë në Hanover, për interesimin e tyre aktiv për zhvillimet në vendin e tyre dhe për kontributin e vazhdueshëm dhe punën e madhe që gjithsecili pjesëtarë i mërgatës e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë ndër vite, pa ndërprerë, për Kosovën”, thuhet në fund të njoftimit për media.