Kurti: S’mendoj që duhet të marr masa ndaj Rakiqit

Kryeministri Albin Kurti ka folur për veprimet e ministrit të tij Goran Rakiq për situatën e fundit të krijuar pas vendosjes së reciprocitetit me targat serbe.

Ai tha se nuk e sheh të nevojshme të ndërmarrë masa ndaj tij derisa shtoi se ai i ka thënë që është angazhuar për qetësimin e situatës në protestat e serbëve në veri kundër kësaj mase, njofton Klan Kosova.

“Kam qenë në kontakt me ministrin Rakiq dhe me të natyrisht që kemi dallime, nganjëherë më të vogla, nganjëherë më të mëdha. S’mund të ankohem për komunikimin dhe bashkëpunimin me të meqenëse ky ka qenë gjithmonë i rregullt. Unë s’e kam përshtypjen që ministri i Qeverisë së Kosovës Rakiq ka shkuar në pikat 1 dhe 31 të që të marrë pjesë në protestë, të organizojë të tjerët ose të eskalojë situatën. Përkundrazi, me aq sa jam informuar unë dhe me atë se çfarë më ka treguar ai, besoj se është përpjekur që të situata të mos eskalojë dhe të mos ketë të dhunshme dhe nuk mendoj që duhet të marr masat ndaj tij”.

Kurti në konferencë për media iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i dorëzojnë targat ilegale, duke shtuar se nuk e kanë për qëllim që t’i gjurmojnë të gjitha ato që janë aktualisht në territorin e Kosovës.

“Zëvendësimi i tabelave s’mund të jetë i përnjëhershëm. Jo të gjitha që janë në qarkullim, sepse ka shumë nëpër garazhët e qytetarëve. Por, s’e kemi as prioritet dhe as synim që tash ne të gjurmojmë për secilën veturë që mund të mos i ketë targat. E kemi për aspiratë që të mos kemi tabela ilegale, por tash jemi të përqendruar te pikat kufitare. Nuk do të ketë kurrfarë ndjekje të automjeteve dhe qytetarëve, jemi shumë pragmatikë për të biseduar, më mirë është që qytetarët t’i sjellin vetë”.

Kurti ka thënë se kjo do të jetë më e favorshme meqë nuk ka zmbrapsje nga vendimi për reciprocitet.