Lëvizja Vetëvendosje ka arritur t’i sigurojë 57 ulëse në Kuvend nga rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, megjithëse ky numër nuk i mjafton që vetme ta konstituojë Kuvendin dhe të formojë Qeverinë e re. Për të dyja këto procedura nevojiten së paku 61 vota. Por, kjo sfidë pritet të tejkalohet pa pasur nevojë për koalicion paraprak me partitë shqiptare, pasi disa deputetë nga komunitetet serbe dhe jo serbe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin.
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili sipas rezultateve ka siguruar një ulëse në Kuvend, ka deklaruar se është i gatshëm ta votojë formimin e Qeverisë “Kurti 3”, por paraprakisht kërkon një takim me Kurtin për qartësimin e disa detajeve.
“Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik. Kam përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Ende nuk kemi biseduar konkretisht, por jam i sigurt se në ditët në vijim do të takohemi. Jam i gatshëm për bashkëpunim. Nuk kemi kushte për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por kemi disa kërkesa për përmirësime teknike në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta parasheh që një ministri të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt vazhdimit të bashkëpunimit”, tha Rashiq.
Ndërkohë, nga komunitet e tjera, Rom dhe Ashkalinjë janë në pritje të rezultateve nga KQZ-ja. Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Ashkalinjëve, Artan Asllani, i cili është zgjedhur deputet tha se është i gatshëm që të bashkëpunojë me Kurtin për formimin e institucioneve.
“Po, do të jemi pro konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe në të njëjtën kohë të japim kontributin tonë që na takon. Jo nuk kemi zhvilluar ende takim pasi që KQZ-ja është ende në procedurën e numërimit të votave”, tha Asllani për rtv21.
Gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin ka shfaqur edhe përfaqësuesi i komuniteti rom, Alber Kinolli. Sipas tij, janë 8 nga 10 deputetët e grupit multientik që do të votojnë për formimin e Qeverisë së re.
“Nëse fitojmë mandat dhe do të jemi pjesë e Kuvendit Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do të luaj rolin e saj konstruktiv dhe ta jep votën e saj edhe për formimin e Qeverisë. Unë shpresoj se minimumi do të jenë prej 8 deputetëve, por unë shpresoj se në të ardhmen do të reflektojë edhe ndonjëri prej 3 deputetëve të cilët nuk i kanë dhënë votë pro Qeverisë”, tha Kinolli.
Përfaqësuesja e komunitetit Boshnjak, Duda Balje dhe Veton Berisha nga Partina Liberale Egjiptiane të cilët kanë siguruar mandat në Kuvend, ende nuk dihet nëse kanë ndryshuar qëndrim të cilët ishin kundër formimit të Qeverisë nga Kurti. Sipas kalkulimeve të deritanishme, në bazë të deklarimeve të përfaqësuesve të minoriteve serbe dhe jo serbe, LVV-ja ka arritur që t’i sigurojë 65 vota për formimin e institucioneve Kuvendit dhe Qeverisë.
Për shkak të numrave nga zgjedhjet e kaluara e rëndësishme për formimin e Qeverisë ishte edhe vota e deputetes Duda Balje, e cila kushtëzonte. Por tani vota e saj nuk është e nevojshme për sigurim të shumicës.




