Kurti: S’është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se qeveria e tij synon që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, pasi të vendosen masat e reciprocitetit me Serbinë, duke vlerësuar se edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë, ndërtohen mbi këtë parim.

Në këtë intervistë në të cilën flet edhe për përparësitë e punës së qeverisë së tij, kryeministri Kurti thotë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, por nuk pret ndonjë dialog thelbësor e as rezultate të shpejta derisa edhe Serbia është në prag të zgjedhjeve.

Kurti ka folur edhe për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë së zëvendësim i taksës 100 për qind.

“Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik. Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq, është edhe aspekti ekonomik me ç’rast meqenëse ajo tarifë u vendos shpejt e shpejt me siguri që bëhet fjalë për një mungesë përfitimi për prodhuesit vendës, ashtu që sot ekonomikisht nga tarifa 100 për qind ndaj Serbisë më së shumti kanë përfituar disa shtete të rajonit, prandaj unë dëshiroj që të mbaj një takim me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë dhe ta diskutojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik.”, tha Kurti.