Kurti: Serbia s’e nënshkroi marrëveshjen për të zhdukurit me dhunë, dokumenti për hyrje-dalje veç një fletë A4

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në mbledhjen e dytë të mbajtur në Bruksel tha se është diskutuar për personat e zhdukur me dhunë dhe çështjet aktuale.

Ai tha se tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmërinë e palës serbe që të nënshkruhet një dokument i dakorduar.

“Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti, por jo nënshkrimi, është pala tjetër ajo që nuk ka pranuar. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkoi”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, sa i përket lirisë së lëvizjes, Kurti tha se marrëveshja ka ardhur me katër propozime nga BE-ja, konkretisht Mirsolav Lajçak, teksa shtoi se dokumenti për hyrje-dalje është veç një fletë A4 pa asnjë aftësi për të cenuar fizikisht apo dëbuar mbajtësit e tyre siç po manipulohet artificialisht opinioni publik.

Tutje, Kurti tha se deklaratat se ka pasur propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta, teksa shtoi se njëra nga pikat më të pranuara ishte ajo që të hiqen në të dy anët dokumentet për hyrje-dalje.

“Së pari, si Kosovë jemi të interesuar për promovim të plotë të lirisë së lëvizjes, kjo nënkupton se opsioni më i mirë do të ishte eliminimi i dokumenteve për hyre dalje nga të dyja vendet, sikur tash që s’ka targa të përkohshme as në Kosovë e as në Serbi, por deri sa të ketë në njërën anë do të ketë edhe në anën tjetër”.

“Ky opsion më i pranuar pra do të reflektohej jo vetëm me heqjen e dokumenteve, por edhe për stikersat, njohja reciproke si letërnjoftimet, patentë-shoferët. Madje, kemi hedhur edhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet, pse të mos njihen. Pozicioni ynë në këtë temë është evropian. Është pozicion që i shmang zgjidhjet ad-hoc, që përgjithësisht janë gjysmake”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se në Bruksel nuk ka pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete të palës serbe, teksa shtoi se me marrëveshjen përfundimtare që sipas tij duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, reciprociteti është fryma.

“Nuk mund të flasim as për menaxhim krize as për dakordim nëse braktisim frymën. Derisa marrëveshja duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, reciprociteti është fryma”, tha Kurti.