Kurti riemërohet kryeministër i Republikës së Kosovës

Deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosvoës kanë votuar pro Qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, i cili merr këtë detyrë për herë të katërt, raporton Anadolu.

Ekzekutivi i ri, i udhëhequr nga Kurti për herë të katërt, u zgjodh në seancën parlamentare me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim.

Në një fjalim para votimit të qeverisë së re, Kurti shpalosi planprogramin qeverisës duke treguar për synimet e qeverisë në mbrojtje, siguri, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera.

Kurti tha se këto ditë “të gjithë jemi në ankth”, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), respektivisht ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.

“Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.

Duke folur për vizionin e qeverisë së re, Kurti tha se ai është “punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen”.

“Ky mandat është për të kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, investimet dhe prodhimtarinë në zakonin e ndërmarrësisë”, tha Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk morën pjesë në seancën për formimin e qeverisë së re.

Përbërja e qeverisë së re të Kosovës

Kabineti qeveritar i qeverisë së re do të ketë këtë përbërje: zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. zv/kryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zv/kryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka. ministër i Financave, Hekuran Murati, ministër për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti, ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu, ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mnistre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje doli partia fituese me 53 ulëse të siguara në Kuvend dhe 47,13 për qind të votave të fituara.

Pas formimit të qeverisë së re, tani Kuvendi ka kohë 60 ditë kohë sipas Kushtetutës, për të votuar presidentin e ri të Republikës së Kosovës.

Deri më tani, Bekim Sejdiu është kandidati konsensual për të cilin janë pajtuar partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, mirëpo nga LDK kanë dalë gjashtë deputetë kundër këtij kandidati për president.