Kurti: Qeveria do t’u ofrojë leje qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së, Peter Sorensen.

Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësore dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme.

Kurti ka theksuar nuk është në interesin e Kosovës që zbatimi i Ligjit të mos prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve, por se qëndrimi i Kosovës është që në Kosovë “nuk mund të ketë mekanizma ilegalë”.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se për tre muaj qytetarët serbë do të mund të regjistrojnë gjendjen civile.

“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të “regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”.