Kurti: Protestat e serbëve, të panevojshme

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka bërë thirrje që qytetarët serbë të mos hyjnë në protesta për shkak të moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“E pashë mbrëmë që është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe sot më erdhi informacioni që po përgatiten protesta për pasnesër”.

“Unë mendoj që nuk janë protestat të nevojshme për këtë çështje. Plotësisht do t’i kuptoja qytetarët serbë nëse do të protestonin kundër korrupsionit ose për çështje sociale, ose arsim më të mirë, por të hyhet në protesta për zgjedhjet e Serbisë që të mbahen nëpër objektet shkollore nuk është e drejtë “, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.

Tutje Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të mos organizojnë e marrin pjesë në protesta të tilla.

“Unë jam organizator i madh i protestave nga e kaluara ime, por me kompetencë them jo vetëm nga përvoja por edhe nga rrethanat politike dhe gjeopolitike të sigurisë që ndodhemi, protestat nuk janë rruga e duhur përpara. Zyra ime është e hapur për të gjitha ankesat dhe nevoja për çfarëdo shkelje të të drejtave”.

“Aspak nuk lë shije të mirë që në Beograd mbrëmë mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë e sot në mëngjes lëshohen thirrje për protesta në Kosovë. Kjo nuk i kontribon marrëdhënieve të mira mes Kosovës dhe Serbisë’.