Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur ish-presidentin kroat, Stipe Mesiq, i cili sot ka qëndruar në Kosovë për vizitë bashkë me ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi.
Kurti i falënderoi dy ish-presidentët për vizitën dhe për angazhimin e përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.
“Është nder dhe kënaqësi, duke pasë parasysh se njihemi ngaherë dhe përvoja juaj e trashëgimia është shumë e vlefshme edhe aktualisht”, tha Kurti në takim, njofton Klan Kosova.
Duke folur për qeverisjen rreth njëvjeçare, Kryeministri Kurti tha se prijmë në rajon për menaxhimin e mirë të pandemisë, me vaksinimin e tashmë dy të tretës së popullatës së rritur. Ai i njoftoi edhe për rezultatet e shënuara në ekonomi: rritjen ekonomike prej 9.9 për qind, rritjen e të hyrave doganore për mbi një të tretën, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66 për qind, të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind, e investimet e huaja për 53 për qind, tha Kryeministri Kurti.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti tha se është proces që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.




