Kurti pret Kadarenë, flasin për letërsinë, historinë e kulturën e popullit shqiptar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, me të cilin folën për letërsinë, historinë e kulturën e popullit shqiptar.

Kurti i tha Kadaresë se veprat “Princesha Argjiro”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së Vdekur, kanë qenë motiv i tij për leximin e të gjitha veprave të shkrimtarit me renome ndërkombëtare.

“Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas kryeministrit është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë. Rrjedhimisht, ai ritheksoi se brezave të rinj duhet të ua mësojmë më shumë historinë nëpërmjet letërsisë së Kadaresë, pasi që ajo është e pazëvendësueshme dhe thelbësore”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

E, shkrimtari Kadare tha se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale, teksa sipas tij, Shqipëria është ndër vendet e para në Evropë që ka botuar letërsi.

“Tutje, për kulturën shqiptare Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vet popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes. Me anë të artit letrar, ai tha se lexuesve, bashkëkohësve tanë, duhet t’u përçojmë të vërtetën pasi që kjo vlerë na duhet shumë dhe është e çmuar për njerëzimin”, thuhet tutje në njoftim.