“Albin t’i ku je, Krejt Kosovën këtu e ke. Albin Baba, Albin Mos lësho pe”, ishin thirrjet me të cilat u prit kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, nga mbështetësit e tij në Prizren, ku shpalosi programin e tij qeverisës në kërkim të edhe një mandati.
Një ditë para mbylljes zyrtare të fushatës, Kurti krahas premtimeve shpalosi edhe të arriturat e Qeverisë së tij, duke thënë se çdo vit ekonomisë iu shtua nga 1 miliard euro.
“Ekonominë e gjetëm 7 miliardë në 2021, sot që po flasim BBP është 11 miliardë e vitin e ardhshëm do të bëhet 12 miliardë. Do të thotë për çdo vit po ia shtojmë nga 1 miliard, e atyre para nesh iu duhen 3 vjet për ta shtuar një miliard. Kjo do të thotë që kur jemi te rritja ekonomike, ne jemi 3 fish më të shpejtë tek ata. Kur jemi te rritja ekonomike edhe nëse e kanë pasur drejtimin dhe kahen e duhur ata e kanë lënë veturë në të parën. E kanë lodhë veturën t’u e lanë në të parën. A na jena në të tretën. Meqë është rritur ekonomia, është rritur edhe buxheti”, tha ai.
Kurti u zotua se me të marrë mandatin e ri që në mbledhjen e parë, do ta miratojë buxhetin prej 4 miliardë eurosh, e do të nënshkruajë vendimin për Ligjin e ri për çmimin tavan për produktet bazë.
“Duhet ta kthejmë çmimin tavan në mënyrë që shporta e konsumatorëve të jetë e përballueshme. Vendimi i katërt në mandatin e tretë në mbledhjen e parë, me mua kryeministër do të jetë paga e 13 në sektorin publik që nis me buxhetin e vitit 2026. Kjo pagë nuk jepet në fund të vitit, por në fillim të vitit. Paga e 13 në fillim të vitit”, deklaroi Kurti.
E me ironi foli edhe për ata që nuk janë të kënaqur me qeverisjen e tij, duke thënë se e kanë qepur thesin si buxhet të shtetit dhe e kanë thurur gardhin si kufi Kosove.
“Kur filluam ta qepim thesin, u dëgjuan disa piskama e britma. Aty te gjilpëra që qepte thesin e shqyer i kish pasë gishtat dikush dhe ajo gjilpërë ua theri gishtat dhe u ni piskama. Por, ne nuk mund ta ndalnim therjen e thesit, sepse nuk mund të hedhësh gjë në thesin që ngelet i shqyer”, shtoi ai.
Kurti ka përsëritur edhe premtimin për pakon prej 200 milionë eurosh për përballje me inflacionin, që përfshin mbështetje për pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat.
Në kuadër të saj tha se do ta rikthejnë edhe skemën për ata që kursejnë energji, duke shpërblyer ata që kursejnë.
Vetëvendosje pritet që të shtunën ta përmbyllë fushatën në Prishtinë.




