Kurti: Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar kontribuon në paqe e stabilitet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se partneriteti i Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar kontribuon në paqe, stabilitet e mirëqenie të ndërsjellë, teksa ka mbajtur një fjalë rasti në një takim me mërgatën shqiptare në Londër.

Gjatë vizitës së tij në Britani, ai ka thënë se partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është ndërtuar mbi shtylla si bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri, zhvillim ekonomik e diplomaci.

Në këtë fjalim, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti në bashkëpunimin me Britaninë ka veçuar investimet në mbrojtje, trajnimet e anëtarëve të Forcës së Sigurisë, rritjen e buxhetit të mbrojtjes, pajisjen me sisteme të reja. Ai ka thënë se Kosova në mandatin e tij ka përjetuar rritje ekonomike me mesatare prej 6 për qind.

Kurti ka ftuar diasporën që të vijë e të investojë në Kosovë, duke thënë se qeveria ka vullnet bashkëpunimi.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e diasporës sonë, krahas përkrahjes dhe vëmendjes së qeverisë ndaj mërgimtarëve tanë. Përmes programit Citizen Diplomacy Fellowship po sjellim profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin publik, duke ju mundësuar të kontribuojnë me ekspertizë dhe të formësojnë të ardhmen e Kosovës përmes angazhimit profesional dhe qytetar, ndërsa me lansimin e Dritares së Investimeve të Diasporës, pjesë e Fondit të Garancisë Kreditore, i mundësojmë diasporës të marrin kredi investimi pa kolateral, duke sjellë idetë dhe përvojën e biznesit të tyre në atdhe dhe duke ndihmuar në këtë mënyrë rritjen ekonomike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurti po qëndron në Britani të Madhe për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.