Kurti paralajmëron plan për menaxhimin e pandemisë

Menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja e ekonomisë u theksuan si sfidat kryesore nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti. Gjatë mbledhjes ceremoniale të kabinetit të ri qeverisës, të mbajtur të martën, Kurti tha se duhet të ulen rastet me koronavirus e të eliminohen vdekjet.

“Sfidat janë të mëdha. Përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike, por edhe të ndalim recesionin ekonomik, duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimin”, tha Kurti.

“Pres që në tavolinën time të vijë urgjent, si plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike”, shtoi ai.

Kurti po ashtu tha se në ndërmarrjet publike do të bëhet auditim, për të parë performancën dhe nëse gjenden keqbërje atëherë qeveria do të veprojë duke ndryshuar menaxhmentin.

Qeveria Kurti, që ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, u zgjodh më 22 mars, në ditën kur Kosova regjistroi 16 viktima dhe 827 raste të reja me koronavirus.

Edhe gjatë paraqitjes së ekspozesë para Kuvendit të Kosovës, Kurti vlerësoi se pandemia mbetet sfida kryesore. Ai ka thënë se synon të sigurojë vaksina kundër koronavirusit për të imunizuar 60 për qind të popullatës.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit.

Qeveria e kaluar ka thënë se Kosova do të pranojë kontingjentin e parë të vaksinave të AstraZenecas në muajin mars. Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave, që Kosova pret t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Më 20 dhe 21 mars, në Kukës të Shqipërisë nisi vaksinimi me AstraZeneca, i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës. Tirana zyrtare ka premtuar se do të vaksinojë rreth 500 mantel-bardhë nga Kosova.