Kurti: Nuk jemi prishur me Amerikën, por i kemi disa dallime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi të premten se Qeveria e tij në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me Shtetet e Bashkuara, por nguli këmbë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë prishur.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.

“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, theksoi ai.

Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara morën një goditje javën e kaluar, kur kjo e fundit njoftoi më 12 shtator se e pezulloi Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Në lidhje me këtë vendim të SHBA-së, Kurti tha se dëshiron të sqarojë se “bëhet fjalë për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik, dhe jo të dialogut strategjik si proces të nisur”.

Kurti shtoi se “nuk bëhet fjalë as për ndërprerje të komunikimit të rregullt të qe kemi”.

Javën e kaluar, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se Shteteve të Bashkuara i duhet një partner në Kosovë i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës./REL

Ky lajm do të përditësohet.