Kurti: Nuk e premtuam, por e realizuam – liberalizimi i vizave u jetësua sot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë.

“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.

Më tej në profilin e tij në Facebook Kurti shkroi:

Nuk e premtuam, por e realizuam. Liberalizimi i vizave u jetësua sot.

Tashmë do jemi më pranë njëri-tjetrit, edhe me diasporën tonë, për të ndarë së bashku momentet më të rëndësishme në jetët tona.

Nuk do privohemi më nga mundësitë që na paraqiten në art, edukim, sport, kulturë e fusha të tjera. Po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, si forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare.

Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, përcollëm fluturimin e parë nga Prishtina, pa viza, drejt qytetit të bukur të Vjenës. Janë gjithsej 50 qytetarë, të cilët e fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës sonë informuese.

E këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin.

Kudo që të udhëtojmë, le të kujtojmë e kurrë mos harrojmë se shtëpia jonë është Kosova.