Kurti: Nuk do të ketë dialog ku dëgjojmë kërkesat e vjetra të Serbisë, por dialog ku ne kërkojmë drejtësi

Kurti aty është pyetur edhe për çështjen e presidentit, teksa ka thënë se zgjedhja e tij do të përfundojë së shpejti, shkruan lajmi.net.

“Do ta kryejmë edhe hapin e tretë shumë të rëndësishëm të konstituimit të institucioneve në legjislaturën e tetë, por sot jemi duke bërë homazhe në Krushë të Madhe për dëshmorët dhe martirët e luftës”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, teksa ka thënë se prioritare në këtë proces është çështja e të pagjeturve dhe krimeve që janë kryer ndaj popullit shqiptar.

“Në raportin tonë me Serbinë e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve, sepse s’mund të kemi progres nëse nuk i trajtojmë këto krime makabre që janë kryer mbi popullin tonë. Nuk duhet as ta lexojmë historinë, sepse këto krime kanë ndodhur në jetën tonë. Nuk do të jetë dialog ku dëgjojmë kërkesa të vjetra të Serbisë, por dialog ku ne kërkojmë drejtësi”, ka thënë ai.