Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në të kaluarën Kosova kishte më shumë armatim nëpër oda sesa në kazermat e ushtrisë, duke e cilësuar këtë si tregues të mungesës së kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Cyrih në një takim me bashkatdhetarë të shtunën, Kurti ka thënë se historikisht kombin shqiptar e kanë mbajtur gjallë oda, çiftelia, pushka, kënga dhe vallja, por theksoi se sot është koha për një fazë të re – kalimin nga ndjenja e fortë kombëtare në vetëdije të lartë shtetërore.
“Si komb të fortë na ka mbajtur oda, çiftelia, pushka, kënga e vallja. Por tani duhet të kalojmë te një ushtri që na mbron dhe i del zot atdheut”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për ushtri moderne me standarde të NATO-s, duke shtuar se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje.
Sipas Kurtit, për të tretin vit me radhë, Republika e Kosovës ka investuar mbi 2 për qind të Bruto Produktit Vendor në mbrojtje. Ai ka thënë se buxheti për ushtrinë është trefishuar, numri i ushtarëve është dyfishuar, trajnimet për oficerë dhe nënoficerë janë katërfishuar, ndërsa shpenzimet për pajisje, armatime dhe municione janë rritur shumëfish.
Kurti shtoi se në një periudhë të mëhershme kishte më shumë armatim edhe në Policinë e Kosovës sesa në ushtri, duke përsëritur se situata e atëhershme tregonte nevojën urgjente për ndërtimin e kapaciteteve të mirëfillta ushtarake.
“Bile, më shumë ka pasur armatim e municion nëpër oda sesa në kazerma të ushtrisë”, u shpreh Kurti, duke theksuar se sot Kosova po ndërton një ushtri profesionale dhe të aftë për mbrojtjen e vendit.




