Kurti në Shkup pyetet për përgjegjësi për ngjarjet e djeshme në Mitrovicë

Në Samitin “Ekonomist” në Shkup kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur për aksionin policor që u realizua dje në Pejë, Prishtinë dhe Mitrovicë të veriut e jugut.

Aksioni që krijoi tensione, pasi policët e Kosovës gjatë intervenimit u sulmuan, në Samit u cilësua si “incident”.

Kurti u pyet se a do të marrë përgjegjësi pas “incidentit” të djeshëm në veri të Kosovës?

“Nuk mund të ketë stabilitet të krimit. Ne luftojmë me grupet kriminale që janë multietnike, siç janë edhe shqiptarët, boshnjakët dhe serbët. Ne do të luftojmë kundër saj me çdo çmim”, u përgjigj Kurti, transmeton TV21.

Shtoi se prokurorët që i dhanë urdhrat për atë aksion, janë edhe serbë.

“Shumë prej policëve janë edhe serbë, edhe shqiptarë. Mendoj se është shumë keq të politizohet lufta jonë kundër krimit. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë në Ballkanin Perëndimor kundër krimit të organizuar i cili është shumë më i integruar se sa që jemi ne”, tha më tej Kurti./TV21