Kurti në pankartë si “pinokio”, më 25 mars do të protestohet në Kosovë

Partia Socialdemokrate (PSD), ka vendosur një pankartë me figurën e kryeministrit të vendit, Albin Kurtin i cili duket si “pinokio”, dhe njoftimin për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që e ka paralajmëruar kjo parti.

Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, tha se arsye e këtij aksioni është ftesa për protestën e së shtunës që mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit.

Është thirrje për protestën e 25 marsit që fillon në Sheshin e “Zahir Pajaziti”.

“Hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit edhe e gënjeshtrës së tij në raport me dialogun me Serbinë”, tha ai.

Nushi tha se marrëveshja e Ohrit, e konfirmon dorëzimin e Kurtit përballë Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Duke folur për protestën e së shtunës, Nushi kërkoi që t’i bashkohen edhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i konsideron si të mashtruar nga Kurti.